Për projektin
Në bazë të përvojës dhe suksesit të vitit të kaluar, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut planifikon që sërish ta organizojë dhe menaxhojë projektin “Udhëtim në Evropë”. Pas mundësisë që ju dha 20 të rinjve që të udhëtojnë nëpër shtete dhe kryeqytete të ndryshme të Evropës në vërën e vitit 2007, YIHR–ja e konsideron atë si projektin më të suksesshëm të vitit. Tregimet dhe përvojat e pjesëmarrësve të projektit, të përshkruara nëpër esetë e tyre, ilustrojnë qartë dëshirën e madhe të të rinjve Kosovar që të hulumtojnë Evropën dhe janë dëshmi e pasojave të barrierave të lëvizjes me të cilat ata ballafaqohen.
Vazhdimi i projektit në vitin 2008 është shumë i rëndësishëm sepse ua ofron mundësinë disa prej studentëve më të suksesshëm të Universiteteve të Kosovës të përjetojnë atë që ata të vetëm nuk kanë mundësi të bëjnë. Si pasojë e regjimit të ashpër të vizave nga zona Schengen por edhe nga vendet e rajonit që së fundmi janë bërë pjesë e BE-së, për të rinjtë kosovar Evropa ka mbetur si diçka që është jashtë mundësive të tyre. Izolimi ka pasur një efekt të tmerrshëm në psiken sociale e cila ka rezultuar në ndjenjën e përjashtimit te të rinjtë e Kosovës të cilët përndryshe janë shumë pro-Evropian dhe i mbështesin vlerat perëndimore. Kjo lloj përvojë praktike do t’iu jap studentëve mundësinë që për së afërmi të shohin se si duket perëndimi dhe ta ndjejnë atë, ta përforcojmë vendosmërinë e tyre drejt promovimit të idesë për integrimin Evropian, ndërkohë që kjo shërben edhe si një mekanizëm përkrahjeje dhe shpërblimi për arritjet e tyre akademike.
Ideja themelore e projektit Udhëtim në Evropë është shumë e thjeshtë dhe kjo njëherazi është edhe karakteristika më e mirë e projektit. Ideja është që tu mundësohet 30 studentëve të Universiteteve të Kosovës (që janë në vitin e fundit të studimeve ose absolventë) të marrin Viza Schengen dhe bileta treni Inter-rail për verën 2008, që të udhëtojnë rreth Evropës sipas zgjedhjes së tyre.
Me projektin Udhëtim në Evropë arrihen këto objektiva:
• Studentët nga Kosova do të kenë mundësinë të njohin për së afërmi shtetet, qytetet dhe kulturën e Evropës,
• Të rinjtë do të jenë misionarë të vullnetit të mirë dhe ata do të shpërndajnë kulturën e dialogut dhe shkëmbimit, e në të njëjtën kohë do ti kontribuojnë përmirësimit të imazhit të Kosovës dhe të prezantojnë rininë Kosovare në Evropë,
• Ngritja e nivelit të vetëdijes së të rinjve për rëndësinë që ka suksesi në arsim dhe promovimi i fortë i arsimimit si mënyrë e sigurt për të pasur sukses në jetë.
• Elita intelektuale dhe kulturore e Kosovës do të pasurohet me një numër domethënës të të rinjve të cilët do të jenë të gatshëm të prezantojnë Evropën dhe idenë evropiane në komunitetet e tyre me kompetencë, duke u shndërruar kështu në ambasadorë të Evropës.
• Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në vendet anëtare të marrëveshjes Schengen që të lehtësojnë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës, në veçanti për studentët dhe të rinjtë.