Paketimi
Përderisa ju kanë kapluar ethet e udhëtimit, një ndër detyrat kryesore përgatitëse do të jetë paketimi. Derisa jeni duke u menduar se çka mund të futni në çantë apo valixhe, duhet të keni parasysh tre rregulla: arsyen, arsyen dhe arsyen. Kjo nuk do të thotë se duhet të niseni në udhëtim si një asket i devotshëm, por vetëm duhet të mendoheni që secilën tepricë do ta bartni në shpatullat tuaja bashkë me pasojat e mundshme ortopedike. Duke marrë parasysh që nuk jeni në pushim klasik ku nuk do ta lëviznit valixhen nga hoteli për dhjetë ditë, por në udhëtim të vazhdueshëm, poenta është që rrobat dhe këpucët ti keni të rehatshme. E dijmë sa është e vështirë për të vendosur për komforin para joshjes (posaçërisht kur është fjala për pjesëtaret e polit më të bukur), por mundohuni të gjeni mesin e artë si një filozof antik. Është një përparësi e madhe që udhëtoni gjatë verës sepse më këtë tashmë jeni liruar nga bartja e xhemperëve të trashë dhe palltove të rënda, por mos harroni që barra juaj do të shtohet gjatë rrugës me imtësira të ndryshme, suvenire dhe dhurata për më të dashurit tuaj, kështuqë do të jetë mirë që të leni pak vend edhe për këtë.
Në mënyrë që të keni një ide rreth asaj se çka do të mund të merrni me vete në rrugëtim, do të bëjmë një listë.
Rrobat dhe këpucët
Pasi që është verë, merrni me vete më së shumti 2 bluza në rast se ftohet koha apo bie ndonjë shi, ndërsa në pompat e benzinës shiten edhe mantele shiu të cilat janë të paketuara shumë mirë kështuqë shumë lehtë do t’ua gjeni vendin në çantë.
Farmerkat apo pantallonat janë gjithmonë të mira, ndërsa mund të shfrytëzohen edhe për dalje të mbrëmjes, mu ashtu si bermudet dhe fundet.
Se sa fanella me mëngë të shkurtra është e domosdoshme që të paketoni, këtë e vlerësoni vetë, ndërsa vajzat e kanë një përparësi duke iu falënderuar masave të vogla të fanellave moderne.
Nuk do të hyjmë në këshillën për numrin e veshjeve të brendshme dhe çorapëve që duhet t’i merrni, ndërsa kurrsesi mos i harroni kostumet e larjes.
Nëse këpucët i keni pikë të dobët, mposhteni këtë dobësi dhe merrni me vehte më së shumti 2 palë. Një palë atlete dhe një palë sandale do t’ju mjaftojnë për të lënë gjurmët tuaja nëpër asfaltet e Europës. Mbani edhe fashë në çantën tuaj, të paktën nuk do t’iu zë vend.
Paisjet shtesë
Peshqirët janë pjesë përbërëse e bagazhit tuaj dhe ju preferojmë që të merrni një për vete dhe një tjetër për plazh. Në hostele shpesh përveç çarçafëve do të merrni edhe peshqirë të pastër, kështuqë nuk keni arsye që të keni pesë copë.
Syzet e diellit, kapela ose shamia dhe krema për rrezitje janë artikuj të domosdoshëm në këtë kohë të ngrohjes globale dhe të mos përdor dikush një kremë e cila ka faktorin nën vlerën 20!
Një jastëk që fryhet është një zbulim për fjetje në të gjitha vendet e mundshme – tren, autobus, bankë, plazh...tamam si thesi për fjetje, posaçërisht nëse jeni në “tripa” të kampingut.
Kozmetikën uleni në sasinë optimale, sepse puna është që çkado që iu mungon mund ta bleni me çmimin e njëjtë si në Serbi.
Pak pluhur larës mund të shërbejë për të larë diçka nga rrobat, ndërsa për të njëjtën gjë disa përdorin edhe shamponin e flokëve. Nëse tashmë keni vendosur për pluhurin larës, merreni edhe një copë litar dhe disa kapëse për të improvizuar një tharëse rrobash. Një qese najloni mund të shërbejë si bllokues i lavamanit në rast se dëshironi të lani diçka në të.
Është mirë që të keni një dry për mbylljen e gjërave të vlefshme në dollapin e ndonjë hosteli, dhe atë jo një dry si ai me të cilin e mbyllni ditarin tuaj por pak më të madh. Mos e harroni çelësin.
Poashtu është mirë të keni një thikë Zvicerane pasi që në të janë hapësi, gërshërët dhe disa gjëra të tjera të vlefshme të cilat mund t’iu hyjnë në punë gjatë udhëtimit.
Para se të niseni në udhëtim vizitoni edhe barnatoren tuaj për tu furnizuar me fasha, diçka kundër dhimbjeve dhe temperaturës, tableta dhe pluhur për përmirësimin e tretjes dhe kundër barkqitjes. Le të shpresojmë që asnjë nga këto nuk do t’ju duhen.
Nëse keni planifikuar që të bëni kamping do t’ju duhet një thes, një shtresë sfungjeri nën thes (i mirë është edhe për plazh), një tendë dhe pajisjet tjera për kamping.