Ushqimi
Pas shumë shëtitjeve frymëzuese por të lodhshme nëpër sheshet e mrekullueshme dhe nëpër rrugicat e ngushta me plot gjëri, organizmi juaj do të kërkojë në mënyrë plotësisht të arsyeshme që të rimëkëmbet me ushqim. Duke patur parasysh traditën gastronomike të larmishme të vendeve të cilat do ti vizitoni, jini të sigurt që shija juaj nuk do të ngecë prapa emërtimeve të bukura si ratatouille ose ribollit. Meqenëse duhet të bashkojmë të bukurën me të dobishmen, ku në këtë të dytën hyn edhe kujdesi për buxhetin tuaj, ju propozojmë mundësitë në vijim.
Rezervat e arta
Me fjalë të tjera, duhet të keni rezerva në çantën tuaj si psh biskota, çokollata.....Gjithmonë është mirë ti keni me vete në rast se iu bie niveli i sheqerit dhe dëshironi që të hani diçka para se të lëshoheni në kënaqësinë gurmane pas vizitës se muzeve. Kanaqet janë gjithashtu një zgjedhje e mirë për ndihmën e parë, posaçërisht nëse sardinat ose pashtetën i përcillni me bukë të freskët, djathë dhe domate nga tregu lokal. Mmmm…
Gatimi në hostel
Nëse shquheni për aftësi të gatimit, keni çka të gatuani dhe nëse në hostel ekziston një kuzhinë, mund të gatuani diçka në shpejtësi dhe të ushqeni shoqërinë tuaj. Kuzhina në hostel zakonisht nënkupton një frigorifer të përbashkët, një furnelë, lavaman dhe ndonjëherë edhe enë të cilat mund ti shfrytëzoni. Megjithatë nëse dyshoni në veset higjienike të të tjerëve, mund të merrni me vete një tigan ose një tenxhere (që më vonë mund ti shfrytëzoni edhe në kamping).
Nuk do t’ju pengojë edhe një xhezve për një kafe ose çaj të mëngjesit, megjithëse shumica dëshirojnë që të pinë një espreso pasi që tashmë janë në Itali. Gjithsesi merrni me vete escajgun (lugë, thikë, piru) sepse është shumë i dobishëm.
Supermarketet
Nëse shoqëria juaj përbëhet prej disa personave, blerja në supermarkete është ideale për të ngrënë mirë me pak para. Çmimet janë të volitshme ndërsa keni një larmi të madhe artikujsh (ndër të tjera edhe specialitete lokale të mbështjellura në paketime të vogla) që do ti kënaqte edhe adhuruesit më të mëdhenj në mesin tuaj. Artikujt mund ti merrni me vete në hostel dhe atje ti hani, apo si shumë Europianë të uleni në ndonjë park dhe të hani duke bërë piknik.
Oferta e madhe e jogurtëve të pemëve, pudingëve dhe ëmbëlsirave të ndryshme janë ushqime fantastike për mëngjes ose uzhinë.
Ushqimi i shpejtë (fast food)
Ndoshta nuk jeni adhurues i hamburgerëve, por gjatë rrugëtimit do të bindeni se kjo mënyrë e të ushqyerit është bindshëm më praktike. Guru i të gjitha ushqimeve të shpejta është marka e mirënjohur McDonald’s, si një ndër simbolet e njohura të globalizimit, në të cilin ju mundeni që për 5 € të hani një hamburger, patate të skuqura dhe sallatë ose lëng, ndoshta edhe akullore. Interesohuni a bëjnë zbritje çmimesh për ndonjë nga kartelat studentore të cilat i bartni me vete. Në tërë Europën do të hasni edhe në Burger King, Pizza Hut dhe zingjirë të ndryshëm lokalë për ushqim të shpejtë, ndërsa çmimet gjithkund janë të ngjashme. Poashtu mund të hasni në restorane të cilat duken si menza dhe në të cilat vlen parimi i vetë shërbimit. Zgjedhni çka ua don zemra, paguani në arkë dhe pasi që të keni drekuar vazhdoni me shëtinë tuaj nëpër qytet.
Restoranet
Edhepse për këtë kënaqësi duhet të ndani më shumë njësi të valutës së përbashkët evropiane, kënaqësia autentike e shijes dhe aromave do t;ju bëjë të harroni shkujën në kuletën tuaj. Lejojani vetes ndonjëherë një darkë në ndonjë restorant të vogël e të bukur në mënyrë që të kënaqeni me kuzhinën nacionale të vendit ku jeni, ndërsa kujtimet për shërbimin e sjellshëm, ambientin dhe ushqimin e shijshëm do t’ju mbesin në kujtesë më gjatë se patatet e skuqura në ndonjë restorant të ushqimit të shpejtë. Një gjë e mirë është që para hyrjes së restoranteve zakonisht ka një pano në të cilin shkruhet menu-ja me çmime, kështuqë nuk ka gjasë që të shtrembëroni fytyrën pasi që t’ju sjellin llogarinë. Një gjë që mund t’ju nodh është kur kamerieri do të tentojë t’ju sjellë një pasta jo të freskët, gjë që ju nuk do ta vëreni.
Nëse një shoqëri e madhe hyn në një restorant të lirë në të cilin psh pica ose pasta kushtojnë 5 € e më lart, ndërsa vera në ibrik rreth 20 €, llogaria për secilin do të jetë rreth 10 €, që nuk është edhe aq e tmerrshme nëse praktikohet ndonjëherë.
Uji
H2O-në po e përmendim veçantë duke patur parasysh temperaturat e korrikut dhe gushtit të cilat do t’ju detyrojnë që ta konsumoni në sasi të mëdha. Furnizohuni me ujë nga supermaketet në mënyrë që tregtarët e pandërgjegjshëm të mos fitojnë nga ju më shumë se që duhet nëpër dyqanet e vogla, sepse çmimi i ujit nëpër këto dyqane është disa herë më i madh. Në metropole zakonisht nuk ka dyqane në secilin kënd si tek ne, ndërsa hipermarketet janë të shpërndara nëpër qytet kështuqë shitësit e shkathët me tezgat e tyre mobile para muzeve dhe ndërtesave rrjepin turistët e etur. Për shembull 1.5 l ujë në hipermarket kushton ndërmjet 0,60 dhe 0,80 €, ndërsa në rrugë një shishe e vogël prej 0,5 l kushton edhe deri në 2 € . Ndoshta në këtë moment kjo mund të mos ju duket si një këshillë e vlefshme për të kursyer, por kur t’ju përcëllojë dielli në mesditë do ta dini për çka është fjala.
Në disa vende mund të pini ujin nga tubat, ndërsa në vende tjera kjo nuk rekomandohet, jo domosdoshmërisht për shkak të parregullsisë por edhe për shkak të kualitetit të ujit. Ndoshta më mirë është që të mos eksperimentohet dhe të pihet ujë i mbyllur, që është një shpenzim shtesë por është edhe një investim për të ardhmen e barkut tuaj.