Çantë apo valixhe
Pasiqë keni marrë vendimin madhor për atë se cilat lecka i keni të domosdoshme, është koha që të mendoni se në çfarë lloj torbe do ti futni ato. Zgjedhjet e mundshme janë një torbë sportive, valixhe me rrotë ose një çantë.
Torba sportive nuk është shumë praktike për tu bartur (posaçërisht nëse atë e keni tej mbushur ashtu siç supozohet që do të bëni) dhe zakonisht kërkon ndihmën edhe të një bashkëudhëtari, por nëse nuk keni ndonjë zgjidhje tjetër kjo do të kryejë punë.
Rrotat në valixhe ose në torbë janë të vlefshëm pasi që me ta e ndani barrën, por janë relativisht jo praktikë për shkak të shumë shkallëve lëvizëse dhe jo lëvizëse me të cilat do të ndesheni nëpër metro dhe në stacione të trenit. Djegja e bicepsëve dhe tricepsëve është gati e pashmangshme gjatë ngritjes dhe uljes së valixhes.
Çanta e cila është popullarizuar nga aventurierët ose të ashtuquajturit bekpekerët të cilët kanë kaluar nga disa muaj në udhëtime, është përfundimisht zgjidhja më e mirë. Shpejtësia dhe lëvizshmëria janë veti shumë të dëshirueshme për një udhëtar i cili është vonuar për ta kapur mjetin e udhëtimit me kohë, ndërsa ky lloj çante i përmirëson shumë këto veti. Rregullat ende mbesin të njëjta, nëse nuk e mbushni tej mase nuk do të fitoni spondilozë, ishias dhe lumbago. Xhepat e shumtë janë të përshtatshëm për paketimin e gjërave të imta, ndërsa në të mund të varni edhe thesin për fjetje, sandalet apo reketët për badminton (?!).
Njërën nga këto tri mjete për bartje me siguri se do ti keni në shtëpi, dhe nuk është keq që të pyesni nëse ndonjë i afërm i juaji ka psh një çantë në mënyrë që të mos keni nevojë që ta blini. Kjo nuk do të thotë që të zhyteni në dëshpërim nëse nuk e gjeni një të tillë, ju do të kaloni mirë në këtë udhëtim, me apo pa të.
Çantat nuk kushtojnë pak dhe nëse planifikoni që ta blini një duhet që të nxirrni nga kursimet e juaja së paku 35 euro, ndërsa çmimi varet edhe nga marka e prodhuesit dhe pajisjet e çantës (mos u çuditni nëse e gjeni ndonjë i cili kushton deri në 130 euro). Kërkoni ato nëpër dyqane sporti siç janë Intersport dhe Merkator, në shitoren Gora në rrugën Đušina, në Rodiq të Novi Sadit....nuk po bëjmë reklamë por vetëm po ju drejtojmë. Markat prodhuese që mund të gjenden tek ne janë McKinley, Ferrino dhe Tashev, ku e fundit edhe hyn në variantin më të volitshme. Një çantë mund ta gjeni edhe në treg, por kjo informatë nuk është e sigurtë.
Pasiqë mbledhja e mjeteve financiare nga familjarët, shoqëria dhe bëmirësit tjerë do të jetë preokupimi juaj i vetëm, është e kuptueshme që do të jetë e tepërt të ndani nga buxheti juaj 50 ose 100 euro për të blerë një çantë. Por nëse megjithatë vendosni ta bëni këtë, nuk do të pendoheni.

Krahas çantës ose valixhes së madhe të cilën do ta bartni në dorë ose shpinë, është e domosdoshme që ta keni edhe një çantë të vogël të mbushur më gjëra të çmueshme duke filluar nga pasaporta, bileta Inter Rail, paratë, kartelat (studentore dhe paguese), foto aparatin, telefonin mobil ( i cili do t’ju shërbejë për ti dërguar porosi babait dhe nënës që jeni mirë dhe më shëndosh se kurrë, por edhe për t’ja dërguar ndonjë porosi shoqes/shokut tuaj i cili/a gjithmonë ju ka xhelozuar, vetëm sa për ta shqetësuar), çamçakëzat, faculetat. Duhet të jeni të kujdesshëm ndaj vjedhësve të xhepave dhe për këtë sigurisht se edhe prindërit do t’ju thonë disa herë tamam atëherë kur nervoza e udhëtimit do tju shkundë. Ndëgjoni prindërit, mirëpo kjo nuk do të thotë që të merrni pozën e xhudos sa herë që dikush t’ju pyes sa është ora.